LAJME

Kurti: Formimi i institucioneve të reja është përgjegjësi e të gjitha partive politike

Kurti: Formimi i institucioneve të reja është përgjegjësi e të gjitha partive politike
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Korrik 2026, 14:17

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur të premten në mbledhjen e kabinetit qeveritar në detyrë, duke u ndalur te zhvillimet politike dhe procesi i formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Kurti tha se Kosova ka mbajtur tri procese zgjedhore për Kuvendin në më pak se 16 muaj, duke theksuar se vetëm zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 janë zhvilluar pas përfundimit të mandatit të plotë katërvjeçar, ndërsa dy proceset e tjera, sipas tij, kanë qenë të parakohshme dhe të panevojshme.

“Më 7 qershor, për herë të tretë në më pak se 16 muaj, patëm zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Të parat, ato të 9 shkurtit 2025, ishin të rregullta pas përfundimit të mandatit të plotë katërvjeçar, ndërsa dy proceset pasuese zgjedhore, të dyja të parakohshme, në dhjetor dhe në qershor, kanë qenë të evitueshme dhe të panevojshme”, deklaroi Kurti.

Ai e mirëpriti caktimin e datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke theksuar se tani partitë politike kanë përgjegjësi për formimin e institucioneve të reja.

“Caktimi i datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është i mirëpritur. Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi përpara përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes. Kemi dy javë më së shumti deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalojmë te zgjedhja e Qeverisë së re e tek presidenti apo presidentja”, tha ai.

Kurti theksoi se për zgjedhjen e Qeverisë nevojitet shumica e thjeshtë parlamentare, ndërsa për zgjedhjen e presidentit ose presidentes kërkohet një mbështetje më e gjerë politike.

“Për çështjen e formimit të Qeverisë nevojitet shumica e thjeshtë, ndërkaq për presidentin apo presidenten, së paku në dy raundet e para, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve. Andaj, mundësia për zgjedhjen e presidentit tejkalon fuqinë politike të një partie”, u shpreh Kurti.

Ai bëri të ditur se dy javë më parë ka zhvilluar takim me krerët e PDK-së dhe LDK-së për këtë çështje, ndërsa shprehu keqardhje që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk iu bashkua takimit.

“Pikërisht për këtë zhvillova dy javë më parë takim me krerët e PDK-së dhe të LDK-së, ndërkaq sërish shpreh keqardhje që Aleanca nuk iu bashkua takimit. Teksa koha ecën, veprimet politike dhe interesi shtetëror janë në rend të parë”, deklaroi Kurti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika