Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në konferencën e donatorëve për sigurimin e strehimit të qëndrueshëm të 60 familjeve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian të kthyera në Kosovë.
Kurti tha se shumë njerëz i kanë ndihmuar qeverisë që të vijnë deri në pikën ku tash, bashkë me donatorë të tjerë, janë në gjendje që të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për familjet e komuniteteve pakicë që kthehen nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
“Dhe kemi përfituar jo vetëm nga puna e ministrisë për Komunitete dhe Kthim, por edhe nga komunat që kanë treguar lidership në nivelin lokal dhe kanë treguar përkushtim për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këto familje”.
“Kemi përfituar nga angazhimi i agjencioneve të Kombeve të Bashkuara, si në punën në terren ashtu edhe me financime. Kemi pasur oferta për ndihmë edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë”, tha Kurti.
Më tej, ai tha se sot do të shohin planet se si mund t’i strehojnë këto 60 familje dhe t’iu ofrojnë qasje në arsimim e tregun e punës, teksa tha se kostoja për ndërtimin e shtëpive për 60 familje është 2.5 milionë euro.
“Sot është një ditë e ftohët që na bën mirënjohës që kemi një strehë dhe shpresojë që deri në fund të këtij takimi do të jemi në gjendje që të sigurojmë që të gjitha familjet për të cilat jemi mbledhur, do të kenë një vend të ngrohtë dhe një bazë prej ku do ta rindërtojnë jetën me dinjitet në Kosovë”, tha ai.