Kryeministri Albin Kurti ka pritur të martën në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Oezkan Ulutash, me të cilin kanë diskutuar për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti e ka njoftuar komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urë dhe rezultatet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës.
“Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme. Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se Kurti është shprehur i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, “paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura”.
Në këtë takim thuhet se gjithashtu u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve.