Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët për ratifikimin e marrëveshjes me MCC-në.
Kurti ka thënë se ende pa u bërë 2/3 e një dite që kur u nënshkrua marrëveshja në Washington, deputetët në Kuvendin e Kosovës e ratifikuan atë.
Me 89 vota pro deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar të enjten marrëveshjen që një ditë më parë Qeveria e nënshkroi me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) në Kongresin Amerikan.
“Nuk ka pozitë e opozitë për progresin e Kosovës dhe ndihmën e ShBA-ve. Ende pa u bërë 2/3 e një dite të vetme pas nënshkrimit të marrëveshjes në Washington DC, Kuvendi i Kosovës i kaloi 2/3 e deputetëve duke e ratifikuar atë sot. I falënderoj të gjithë dhe secilin nga 89 deputetët që me votën e tyre PËR ratifikuan grantin mbi 200 milionësh të MCC-së për energji e zhvillim. Mbështetja unanime e legjislativit për Programin Kompakt konfirmon ndikimin universal të saj: do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Republikës. Nëpërmjet këtij granti, bashkë po trasojmë rrugën për një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të sigurt dhe të pastër. Një investim gjigand që do të sjellë investime të reja”, ka shkruar Kurti në Facebook. /koha.net/