Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për media. Ai ka thënë ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se përzgjedhja e presidentit të ardhshëm duhet të bëhet në frymën dhe germën e Kushtetutës, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të jetë figurë që shpreh unitetin e popullit dhe gëzon mbështetje sa më të gjerë politike
“Ne besojmë që fryma dhe germa e Kushtetutës është që presidenti të jetë përfaqësues i unitetit të popullit dhe, në këtë kuptim, duhet të jetë konsensual, sepse jemi të interesuar që gjithashtu ta kemi numrin maksimal të mundshëm të deputetëve që të qëndrojnë në sallë, sepse ju e keni parasysh. Prandaj, përqendrimi nuk ka qenë tani te emrat e veçantë për president, por te koncepti i përparimit, te vizioni përpara”, tha Kurti.
Ai u shpreh se takimi shkoj në atmosferë konstruktive ku diskutuan shumë çështje. “Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, ku diskutuam shumë çështje të zhvillimeve politike, të dinamikave institucionale dhe njëkohësisht orarin që na pret përpara konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Ishte takimi i parë. Të gjithë e dimë që pardje u bë certifikimi dhe, përveç kësaj, i kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, kryesinë e më pastaj edhe për qeverinë dhe presidentin. Kemi diskutuar për të gjitha këto. Por ende nuk kemi konkluzion apo ndonjë të arritur, të cilën do të mund ta ndanim me ju këtu. Jam optimist për rrugën përpara, jam me shpresë që racionaliteti që po mbizotëron do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime. Është takimi i parë, meqë do të ketë takime të tjera”, tha ai./RTK/