Kryeministri Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për vdekjen e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, i cili vdiq dje në moshën 79-vjeçare.
Kurti theksoi rolin e tij në mbështetjen që i dha Kosovës në Kongres, duke përkrahur ndërhyrjen e NATO’s për ndaljen e gjenocidit në Kosovë, si dhe përkrahjen ndaj pavarësisë së Kosovës.
“Eliot Engel kishte kohë që ishte nderuar me përkujtim në Kosovë edhe para se bulevardi në qytetin e Pejës të merrte emrin e tij, përmes zërit të tij të fuqishëm në Kongres, ku ai ishte ndër anëtarët e parë dhe më të vendosur që dënuan fushatën gjenocidale të Millosheviqit. Ai mbështeti ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb, përkrahu shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe paralajmëroi për ndikimin keqdashës të Rusisë në Europë. Personalisht, dhe në emër të vendit, e marrim lajmin për ndarjen e tij nga jeta me pikëllim të thellë, por edhe me mirënjohje të përhershme për shërbimin e tij”, ka shkruar Kurti në X.
Kurti shtoi se Engel “do të jetojë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona, si një shembull i asaj që shërbimi publik mund të arrijë—jetët që mund të shpëtojë dhe demokracia që mund të lulëzojë kur njerëzit ngrihen për atë që është e drejtë”, ka thënë Kurti.