Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ekonomia e vendit ka shënuar rritje prej 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Në një postim në Facebook, pas takimit të rregullt të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, Kurti ka thënë se ekonomia e Kosovës ka treguar stabilitet dhe potencial për rritje, pavarësisht sfidave të brendshme dhe pasigurive në tregjet globale.
Ai ka bërë të ditur se eksportet e mallrave dhe shërbimeve kanë tejkaluar vlerën prej pesë miliardë eurosh, ndërsa remitencat nga diaspora kanë arritur nivelin rekord prej rreth 1.4 miliard eurosh.
“Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të tregojë stabilitet të lartë dhe potencial për rritje, edhe përballë sfidave të brendshme me konsolidimin e institucioneve në njërën anë, dhe të pasigurive e tronditjeve globale në anën tjetër. Eksportet tona të mallrave dhe shërbimeve kanë tejkaluar shifrën prej pesë miliardë eurosh, remitencat nga mërgata jonë kanë arritur nivelin rekord prej rreth 1.4 miliard euro, ndërkaq rritja ekonomike në gjysmën e parë të këtij viti ishte 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor”, ka shkruar Kurti.
Duke folur për takimin me përfaqësues të sektorit privat, kryeministri ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe bizneseve për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm kërkon një ndarje të qartë të përgjegjësive, por edhe një bashkëveprim të vazhdueshëm ndërmjet nesh”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se institucionet kanë përgjegjësi për krijimin e një mjedisi të sigurt, sundimin e ligjit dhe kushteve të barabarta për zhvillim, ndërsa bizneset kontribuojnë përmes investimeve, prodhimit, eksporteve dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Në përfundim, Kurti ka vlerësuar se treguesit ekonomikë reflektojnë aktivitetin e sektorit privat, investimet dhe lidhjen e ekonomisë së Kosovës me diasporën dhe tregjet ndërkombëtare.





