Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përgëzuar Kuvendin e Republikës së Kosovës për hartimin e Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030.
Në fjalën e saj, ministrja Gërvalla shprehu mirënjohje të veçantë për kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe luftimin e dhunës në familje. Ajo theksoi se gjatë ushtrimit të detyrës së ministres së Drejtësisë, Haxhiu ka kontribuar në shtyrjen përpara të ndryshimeve fundamentale ligjore dhe institucionale, të cilat kanë krijuar mundësi më të mëdha për mbrojtjen e viktimave dhe kërkimin e përgjegjësisë nga kryerësit e dhunës.
Megjithatë, ministrja Gërvalla theksoi se, gjendja aktuale kërkon angazhim edhe më të madh institucional. Ajo bëri të ditur se gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 2,361 raste të dhunës në familje, në mesin e viktimave të të cilave janë 172 fëmijë, ndërsa tetë gra dhe vajza janë vrarë.





