Kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, për kërcënimet e Serbisë.
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se gjatë takimit në Londër, Kurti ka përsëritur edhe parakushtet për vazhdimin e procesit të dialogut.
“Kryeministri Kurti e informoi Sekretaren Cooper për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën. Lidhur me dialogun me Serbinë, ai përsëriti tri parakushtet për vazhdimin e procesit: dorëzimin nga Serbia të kryekriminelit Milan Radoiçiq, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.




