Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar për gjendjen në sistemin e drejtësisë, sfidat në gjyqësor dhe nevojën për reforma më të thella në funksion të sundimit të ligjit.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se në takim është shprehur vlerësimi për punën e EULEX-it në Kosovë, me theks të veçantë në rolin e tij në monitorimin e institucioneve të drejtësisë dhe kontributin në avancimin e sundimit të ligjit.
“Në këtë kontekst, pati dakordim se sfidat në sistemin gjyqësor vazhdojnë të jenë të pranishme, veçanërisht në aspektin e vonesave në trajtimin e rasteve, menaxhimit joefikas të tyre dhe mungesës së konsistencës në vendimmarrje”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është theksuar nevoja për reforma të thella që rrisin disiplinën, llogaridhënien dhe efikasitetin e gjyqësorit.
Sipas njoftimit, palët janë pajtuar se digjitalizimi është element kyç në dobi të transparencës dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor dhe prokurorial.
“Po ashtu, u theksua se është e domosdoshme që sistemi elektronik për menaxhimin e lëndëve të zbatohet nga çdo gjykatës dhe prokuror”, thuhet tutje.
Në fund, Kryeministria thekson se EULEX-i mbetet një partner i rëndësishëm për Kosovën në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa kryeministri Kurti ka riafirmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj ligjshmërisë dhe legalitetit, si dhe vazhdimin e reformave që sigurojnë drejtësi efikase, transparente dhe llogaridhënëse.