Kryeministri Albin Kurti, gjatë raportimit në Kuvend ka thënë se Draftstatuti i BE-së nuk është “Zajednica” që e parashihnin marrëveshjet e vitit 2013/2015.
Sipas tij ai e ndërpret “trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015”.
“E para, drafti e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015, pra drafti ka qartësi sa i përket njohjes së Republikës si shtet i pavarur ku serbët do jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër minues për Republikën. Kjo qartazi nuk është Zajednicë ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e viti 2013 dhe 2015 sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme. E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bën të qartë që mekanizmi që do themelohet do ketë karakter bashkëpunues, pra nuk do të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit publik, të komunave, organeve qendrore, askujt. E treta, drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’u projektoj një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës, rrjedhimisht të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për luftë për territor, shkëmbim territorial a bashkim me këdo tjetër. Drafti e bën të qartë që çfarëdo ndryshimi i statutit bëhet vetëm pasi të jetë pajtuar Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe t’i ketë dhënë aktgjykim lejues Kushtetuesja. Kjo e përmbys atë që e bënin marrëveshjet e viteve 2013 e 2015”, është shprehur Kurti.





