Sipas Grubit, Qeveria e Kosovës nuk e kishte as idenë, as projektin e as studimin e fizibilitetit për këtë rrugë dhe se Kurti e përdori studimin e fizibilitetit që u pagua nga taksapaguesit e Maqedonisë, për të bërë fushatë në Prizren.
Për këtë ka thënë se ka folur edhe me Ministrin e Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, me të cilin u takua pas vizitës së Kurtit.
“Për të marrë pjesë kryeministri në një koncert dhe për të promovuar ose për të diskutuar më mirë të them për rrugën Prizren- Tetovë, e cila është iniciativë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Do të thotë Qeveria e Kosovës, dhe këtë e diskutuam edhe me ministrin Liburn Aliu kur ishte pas dy tre ditësh pas vizitës së kryeministrit, nuk kishte as idenë as projektin as fizibilitetin dhe ne ua dhamë aso kohe dhe Qeveria tashmë e Kosovës ose Vetëvendosje atëherë e përdori studimin e fizibilitetit që ne e kishim bërë, për fushatën zgjedhore në Prizren. Do të thotë me projektin e paguar me taksapaguesit e Maqedonisë së Veriut dhe është kryekëput zanafillë, pikënisje nga ana e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Grubi.
Ndryshe, gjatë kësaj vizite, Kurti nuk ishte takuar me përfaqësuesit e partive politike në pushtet gjatë kësaj vizite në Maqedoninë Veriut, por u shoqërua nga liderët opozitarë, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kreu i Besës, Bilall Kasami, dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi.
Kurti ishte pyetur nëse pas kësaj vizite në vetëm këto dy komuna fshihej ndonjë mesazh politik për pushtetin atje, por ai e ka mohuar, duke thënë se është kryekëput shkaku i ftesës dhe se është ftuar në cilësinë e Kryministrit të Kosovësm, raporton Express.
Ai kishte thënë se nëse do të kishte ndonjë ftesë edhe nga ndonjë komunë tjetër, do ta përfshine në agjendë.
“Kjo është kryekëput shkaku i ftesës që kam pasur. Po të kisha ndonjë ftesë nga ndonjë komunë tjetër për diçka të ngjashme, natyrisht që do ta kisha përfshirë në kuadër të kësaj vizite. Unë kam kontakte edhe me krerët e partive të tjera politike shqiptare, por jo vetëm. Gjithashtu edhe me LSDMN’në kemi kontakte në forume të ndryshme ndërkombëtare, por edhe të drejtpërdrejta për shkak se edhe ata janë në mesin e këtyre partive socialdemokrate. Kështu që kjo vizitë nuk është partiake, është kombëtare është për të mirën e të dy shteteve tona, është për të mirën e qytetarëve në të dy anët e kufirit në mënyrë që ata të jenë përfituesit e neve politikanëve që mbajnë funksione e kryejmë aktivitete”, tha Kurti.
“Unë e di në çfarë cilësie jam ftuar. Jam ftuar si kryeministër i Kosovës dhe e kam vlerësuar këtë ftesë dhe i jam përgjigjur asaj”, kishte thënë Kurti për televizionin lokal të Tetovës, TV Koha.