Kryeministri Albin Kurti në prezantimin e planprogramit të tij qeverisës ka thënë se do të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ndërkaq, Kurti ka thënë se në dialog me Serbinë hyjnë për marrëveshje me njohje reciproke.
“Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur dhe të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes reciproke. Do të afrohemi dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë. Do të përgatisim padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Do të jemi të aftë për mbrojtje te integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe do të bëjmë mbikëqyrje demokratike dhe civile të FSK-së”.
Kurti gjithashtu ka folur edhe për objektiva të tjera që ka në plan për vitet 2021-2025.
“Po paraqes disa prej zotimeve në vijim dhe përmbajtjes kryesore të programit tonë. Do të ndërmarim Vetting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë. Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore. Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional. Do të sigurojmë shtesat për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfra”.