Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, u pritën sot në Odën e Mjekëve, ku zhvilluan një takim me drejtuesit e kësaj organizate: kryetarin e Odës, Dr. Plaurat Sejdiu, nënkryetarët Dr. Naser Gjonbalaj, Dr. Lauras Idrizi dhe Dr. Rrezart Halili, kryetarin e Këshillit Drejtues, Dr. Faik Shatri, si dhe kolegë të tjerë.
Zyra e Kryeministrit njofton se gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministri Vitia u njoftuan rreth punës, sfidave, rezultateve dhe objektivave të Odës së Mjekëve.
“Ndër të tjerash, u theksua lajmi i mirë se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve nga vendi, dhe të numrit të kërkesave për shërim jashtë vendit. Gjithashtu, u theksua fakti se nga afër 5500 mjekë të licencuar nga Oda e Mjekëve, 150 janë nga komunitetet joshumicë, ndërkaq, në gjashtë muajt e fundit janë licencuar rreth 50 mjekë të komunitetit joshumicë serb, duke u inkorporuar kështu në sistemin tonë të shëndetësisë” – thuhet në njoftim.





