Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se drejtësia e barabartë nënkupton zbatim të plotë të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj në çdo institucion, mostolerim të dhunës në familje dhe diskriminimit, si dhe ndjekje penale të rasteve të tilla.
Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi – me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar.
“Drejtësia e barabartë në Kosovë do të thotë që të drejtat e garantuara nga kushtetuta dhe ligji të zbatohen plotësisht në çdo gjykatë, në çdo vend pune, në çdo komunë dhe në çdo stacion policie. Do të thotë që dhuna në familje dhe diskriminimi nuk tolerohen, justifikohen ose fshihen, por ndiqen penalisht dhe parandalohen. Do të thotë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë ka qasje të barabartë në arsim dhe mundësi cilësore për jetë dhe karrierë. Drejtësia e barabartë do të thotë që gratë nuk janë vetëm votuese, por edhe vendimmarrëse. Do të thotë përfaqësim i barabartë në politikë, lidership, në institucione publike dhe pjesëmarrje kuptimplote në formësimin e së ardhmes së vendit tonë. Sepse një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar”, ka thënë ai, raportoi EO.





