Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar 119 euro në llogarinë e tij në bankë, sipas formularit të deklarimit të pasurisë, të publikuar të premten nga Agjencia Kosovare Kundër-Korrupsionit (AKK).
Kurti nuk ka deklaruar ndonjë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme në emër të tij.
Si pasuri të bashkëshortes, ka deklaruar një banesë me sipërfaqe 67 metra katrorë në Norvegji, në vlerë prej 400 mijë eurosh.
Bashkëshortja e tij ka deklaruar para të gatshme në vlerë prej 10 mijë eurosh.
Sipas deklarimit, bashkëshortja e Kurtit ka detyrime ndaj një banke në Oslo për blerjen e banesës, derisa vetë kryeministri paguan qira mujore për shtëpinë ku banon me familjen e tij në Prishtinë, në vlerë prej 250 euro.
Kurti merr rrogë vjetore 16.647 euro, ndërsa bashkëshortja e tij afro 47 mijë euro.
Kreu i Qeverisë nuk ka deklaruar të ardhura të tjera, ndërsa ka thënë se prej që ka marrë detyrën e kryeministrit ka ndërprerë të ardhurat që i shkonin si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Vitin e kaluar, Kurti pati deklaruar 401 euro në bankë.
