Qeveria e Kosovës është duke mbajtur mbledhjen e radhës, ku kryeministri Albin Kurti, ka folur për buxhetin e shtetit për vitin 2025.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se buxheti i shtetit për vitin 2025 pritet të jetë mbi tre miliardë euro.
“Rritja e buxhetit ka qenë si asnjëherë më parë. Për vitin 2025, buxheti i shtetit do të jetë mbi tre miliardë euro, pra rreth 300 milionë më i lartë se i vitit 2024”, pohoi Kurti.
Ai ka thënë se me rritjen e pagave për sektorin publik, nga viti 2025, paga mesatare do të jetë 870 euro.
Kurti ka njoftuar se 105 milionë euro janë ndarë për nevoja të shëndetësisë, me qëllim që të sigurohen barnat esenciale, ndërsa 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme “që Policia e ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet”.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore e 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë.
“Rritje të buxhetit ka pasur edhe për komuna, do të ketë edhe mbështetje përmes granteve. Ky buxhet është për të gjithë, ashtu siç është edhe Qeveria jonë”, tha ai.
Kryeministri deklaroi se me punën e tyre, do të vazhdojë mbështetja për të gjitha kategoritë./Telegrafi/