Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Kuvend ka folur për Projektbuxhetin për vitin 2025, që pritet të votohet sot.
Ai ka thënë se është kryeministri i parë që e prezanton buxhetin e katërt të mandatit.
“Buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro, ose rreth 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit 2025, ose 60 për qind më i lartë sesa i vitit 2020. Për të arritur deri këtu këto katër vjet kaluam shumë sfida globale dhe të brendshme, por njëkohësisht e për dallim nga të tjerët para nesh u siguruam që buxheti të orientohet aty ku kthimi është më i larti, te qytetarët tanë. Duke e bërë këtë vit pas viti rritej edhe buxheti pa ndryshuar asnjë politikë tatimore sepse investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme. Buxheti i vitit 2025 është buxheti i katërt me radhë që po e prezantojmë si qeveri në këtë mandat, miratimi në Qeveri dhe prezantimi i buxhetit në Kuvend çdoherë e kemi bërë sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, ka thënë Kurti.





