Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i LVV-së, bojkotimin e votimit nga deputetët që marrin pjesë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit e ka quajtur sjellje politike të papërgjegjshme dhe njëkohësisht shkelje të Kushtetutës.
“Për bindjen time, ardhja në vazhdimin e seancës dhe bojkotimi i votimit politikisht është sjellje e papërgjegjshme, juridikisht është shkelje e Kushtetutës”, ka theksuar Kurti, duke iu referuar pikës 128 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014.
Kurti akuzoi deputetët e partive të tjera për bojkotimin e votimit drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Unë çdo herë shkoj që ta konstituojmë Kuvendin. Ata që vijnë, por bojkotojnë duke mos votuar nuk e di pse vijnë. Për bindjen time, ardhja në vazhdimet e seancave dhe bojkotimi i votimit politikisht është sjellje e papërgjegjshme dhe juridikisht shkelje e Kushtetutës”, tha Kurti.
Sipas këtij aktgjykimi, çdo deputet është i obliguar të votojë – pro, kundër ose të abstenojë – në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Kurti ka thënë se konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm përgjegjësi e partisë fituese të zgjedhjeve, por e të gjithë deputetëve.
Ai shtoi se pasi të formohet Kuvendi, përgjegjësia e tij do të jetë formimi i qeverisë së re. Deri atëherë, vendi do të qeveriset nga qeveria në detyrë.
Tutje Kurti u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në votim, duke e konsideruar këtë si një obligim kushtetues dhe rrugëdalje nga ngërçi politik.
“Ju bëj thirrje edhe një herë deputetëve që, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me të drejtën e obligimet e tyre, të marrin pjesë në votim. Me që e provuam votimin e hapur, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë, sepse kështu e parasheh edhe aktgjykimi i datës 26 gusht 2014”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se rruga për të dalë nga kriza politike është e qartë, por se kërkon vullnet për të ecur përpara.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese – por për ta respektuar, duhet ta kemi së pari”, përfundoi Kurti. /rtk