Kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjatë vizitës në ShBA i ka pasë të gjitha takimet që ka synuar t’i ketë, pasi thotë se atje shkoi për investime dhe siguri për Kosovën.
Madje, ai deklaroi se pati aq shumë takime në qëndrimin më të gjatë se dy javë në ShBA sa fizikisht nuk do të ishte e mundshme të realizonte takime të tjera.
“Në vizitën që kisha në ShBA ishte vizitë që u zhvillua pas tetë vjetëve që nuk kisha qenë në ShBA. Gjatë atyre dy javëve sa isha edhe në Bregun Perëndimor dhe atë Lindor, por edhe në vende sikurse Texasi e Chicago, kam pasë numrin më të madh të mundshëm të takimeve që do të mund të realizoheshin fizikisht për dikë. Jam takuar me 7 senatorë, prej tyre 4 demokratë dhe 3 republikanë, 12 kongresistë, prej tyre 9 demokratë dhe 3 republikanë, kam takuar Këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, në Shtëpinë e Bardhë, shefen e përgjithshme të USAID-it Samantha Power, si dhe shefen e përgjithshme të MCC-së Alice Albright. Unë kam shkuar për dy gjëra kryesore – investimet për Kosovën dhe siguri për Kosovën dhe i kam pasë takimet më të mira për qëllimet që kam pasur”.





