Në kuadër të aktiviteteve në shënim të Ditës Përkujtimore të Policëve të Rënë në Detyrë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bënë homazhe te varri i rreshterit policor, heroit të Kosovës, Afrim Bujnaku, në fshatin Samadrexhë, në Vushtrri.
“Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës, por sot ai ka gradën Hero i Kosovës. Grada Hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës dhe një zyrtar i shtetit. Njëkohësisht është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Prandaj, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit, në nderim e në kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit”, u shpreh kryeministri Kurti, njofton ZKM.





