Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore, duke thënë se kjo nuk ka të bëjë me muajin qershor por ka të bëjë me komplet stinën e verës.
Kurti tha se po të kishin kuvend, do të vepronin ndryshe, por sipas tij, meqenëse s’ka kuvend, po veprojnë me çfarë munden e dijnë.
“Sa i përket alokimit të mjeteve buxhetore prej 2 milionë euro, këtë e kam shpjeguar në një tekst në faqen time në Facebook dje pasdite. Iu kisha inkurajuar të gjithëve që keni dilema ta lexoni apo rilexoni. Gjithçka është në shërbim të qytetarëve dhe bëhet fjalë për një mbulim të një gjendje jo të zakonshme që po e bëjnë edhe shtetet e tjera dhe nuk ka të bëjë me muajin qershor por ka të bëjë me komplet stinën e verës, deri në fund të tetorit. Pra, do të vepronim ndryshe po të kishim kuvend, meqenëse nuk kemi kuvend, veprojmë me çfarë mundemi e dijmë dhe besojmë se po bëjmë shumë mirë” – theksoi Kurti, raporton KosovaPress.
Kurti shtoi se po përpiqen të bëjnë çfarë është e mundur në mënyrë që qytetarët e vendit, në përballje me nevojat e shtuara në njërën anë dhe pritjet e arsyeshme në anën tjetër, t’u dalin zot atyre./KP