Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Francës në Ditën Kombëtare të këtij shteti, tha se 14 korriku nuk është vetëm një përkujtim i së kaluarës, por një përvjetor i vazhdueshëm i lirisë, luftës së njerëzimit për drejtësi dhe i lindjes së qytetarisë moderne.
“Sot, ndërsa festojmë 236-vjetorin e atij momenti themelues të modernitetit, nuk shikojmë vetëm nga e kaluara, por edhe nga e ardhmja. Dhe e ardhmja kërkon që të mos i ruajmë idealet tona vetëm me fjalë; kërkon që t’i përkthejmë ato në politika publike, institucione të qëndrueshme dhe drejtësi të prekshme. Kosova, si një Republikë e re, lindi në frymën e këtyre idealeve. Ne kemi zgjedhur rrugën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, jo vetëm sepse është rruga më e drejtë, por sepse është rruga që e bën vendin të denjë për qytetarët e tij dhe një partner të besueshëm për miqtë e tij”, tha kryeministri në detyrë, Kurti.
Në vijim, sic bënë të ditur Kryeministria, kreu në detyrë i ekzekutivit shprehu mirënjohjen ndaj Francës për mbështetjen e saj të vazhdueshme në shtetndërtimin dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës, gjersa nënvizoi dhe përkushtimin në rrugëtimin drejt integrimit evropian.
Sipas komunikatës, ai ka falënderuar edhe ambasadorin Guerot për punën në drejtim të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, nga mbështetja institucionale deri te promovimi i bashkëpunimit kulturor dhe universitar.