Gjermania e ka nderin që të hapë Evropianin 2024, por Kombëtarja e Shqipërisë i ka nderin e përgjegjësinë për të testuar e para nivelin e kampiones aktuale.
Të shtunën, prej orës 21:00, në Dortmund, takohen Italia dhe Shqipëria. Është ndeshja e katërt e “Euro 2024”.
Presioni te kuqezinjtë sa shkon e rritet, por edhe motivi.
“I njohim të gjithë lojtarët e Italisë. Shumica prej nesh luajmë në Serie A. Janë lojtarë të fortë. Italia është kombëtare e fortë. Mezi po e pres këtë ndeshje dhe mezi po pres të hyj në fushën e lojës”, ka thënë të enjten mesfushori Kristjan Asllani.
Asllani, që luan për Interin, foli në konferencën e zakonshme për shtyp. Ai së bashku me Nedim Bajramin dhe Ylber Ramadanin janë forca e Shqipërisë në mesin e fushës.
Edhe Italia shquhet për mesfushë cilësore, por Asllani ka refuzuar të bëjë krahasime.
“Do ta presim ndeshjen dhe të shikojmë se çka do të ndodhë. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Ka harmoni dhe pozitivitet, kjo është kryesorja. Të gjithë jemi të fokusuar. Kemi sfidën me Italinë. Po e studiojmë, po shikojmë videot dhe po presim”, ka theksuar Asllani.
Ai ka theksuar se nuk duhet të fokusohen vetëm te një lojtar i Italisë, por tek i gjithë ekipi. Sipas Asllanit, forca e Shqipërisë është grupi. Por përkrahje e madhe pritet edhe nga tribunat.
“Kemi një plus të madh që janë tifozët dhe i presim se janë zjarr”, thotë Asllani.
Për ndeshjen me Italinë ka folur edhe Erjon Bogdani, sulmuesi më i mirë në histori të Shqipërisë. Bogdani ka luajtur gjatë në Itali dhe ka folur për TMW lidhur me sfidën e së shtunës.
“Gjimshiti, Hysaj dhe portierët janë lojtarët me më shumë përvojë. Por, kemi mesfushorë si Asllani, Ramadani dhe Bajrami. Janë lojtarë shumë të mirë me topin. Jemi optimistë dhe pozitivë përpara ndeshjes me Italinë”, ka theksuar Bogdani.
Bogdani ka vlerësuar edhe Armando Brojën e sidomos Jasir Asanin.
“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Unë flas mirë për kuqezinjtë jo vetëm sepse jam tifoz, por pasi të tilla janë faktet. Por, grupi është shumë i vështirë. Nuk jemi larg Italisë sa u takon vlerave dhe cilësisë, pavarësisht se Italia është Itali. Duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në grupin e ferrit, por mund të kualifikohemi edhe nga vendi i tretë”, ka shtuar Bogdani.
Ka shumë intervista, analiza e vlerësime lidhur me ndeshjen e së shtunës. Por kuqezinjtë po vazhdojnë në qetësi përgatitjet në Gjermani, të vetëdijshëm që do të kenë përkrahje të madhe në stadium dhe që pritjet prej tyre janë për rezultat pozitiv, ndonëse përballë do të jetë kampionia në fuqi e Evropës./KOHA.Net/