LAJME

Kultura dhe veshjet tradicionale shqiptare prezantohen për herë të parë në “Oktoberfest” në Mynih

Kultura dhe veshjet tradicionale shqiptare prezantohen për herë të parë në “Oktoberfest” në Mynih
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Shtator 2025, 08:58

Për herë të parë, kultura dhe veshjet tradicionale shqiptare u prezantuan në paradën e “Oktoberfest” në Mynih. Përfaqësues të komunitetit shqipfolës marshuan me krenari, duke shpalosur rrënjët, traditat dhe vlerat tona kombëtare në një nga festat më të njohura në botë.

Organizimi u bë i mundur nga shoqata “Iliria München”, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih.

Veshjet tradicionale shqiptare u bënë pjesë e paradës së famshme “Trachten- und Schützenzug”, ku flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës u ngritën krah për krah në një atmosferë festive.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se Xhubleta shkëlqeu me format unike, trashëgimia e të cilës mbrohet nga UNESCO.

“Parakalimi i veshjeve tona tradicionale, për herë të parë në Oktoberfest, njëra nga festat më popullore në botë, ku Xhubleta shqiptare shkëlqeu me format e saj unikale”, shkruan Rama.

Oktoberfest, i cili për herë të parë u mbajt në vitin 1810, ka evoluar ndër vite duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme të Gjermanisë. Festa zhvillohet nga 20 shtatori deri më 5 tetor 2025 në parkun e njohur Theresienwiese, ku çdo vit tërheq miliona vizitorë nga e gjithë bota.

Ashtu si tradita e kërkon, të dielën e parë të festivalit u mbajt parada e kostumeve tradicionale, ku për herë të parë mori pjesë edhe komuniteti shqiptar atje.

Përveç paradës, Oktoberfest vijon me atmosferën e zakonshme festive: ushqim bavarez, birrë tradicionale të Mynihut, lojëra dhe atraksione të shumta që e bëjnë këtë festë një përvojë unike për vizitorët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika