Kandidati për deputet nga PDK-ja, Kujtim Gashi, gjatë emisionit “Debat Përnime” ka komentuar mënyrën e funksionimit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), gjatë kohës së qeverisjes së vendit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me këtë rast, ai tha se mediumi publik nuk udhëhiqet as prej Drejtorit të përgjithshëm e as prej Bordit, por prej zyrave të partisë në pushtet.
“Ju e keni parë kush e menaxhon RTK-në. Fatkeqësisht [RTK] nuk menaxhohet as prej Bordit, as prej Drejtorit të përgjithshëm e as prej njërit që është sot në RTK, por menaxhohet nga zyrat- aty ku e ka selinë Vetëvendosja. Kjo është e rrezikshme edhe për demokracinë, por edhe për edhe për fjalën e lirë e sidomos për një medium që e paguajmë me taksat tona”- tha Gashi.
Megjithatë, ai u pajtua se edhe më herët në RTK ka pasur anëtarë të bordeve që kanë qenë të afërt me partitë politike, ndonëse sipas tij, “jo në nivelin siç po ndodhë me qeverisjen e Albin Kurtit”.
“Po pajtohem që edhe në të kaluarën herë pas here ka pasë mundësi që një anëtar i bordit me qenë më i afërt me një subjekt politik, edhe nëpër ndërmarrje, plotësisht po pajtohem, por jo në këtë nivel, ku drejtorët, drejtori i përgjithshëm, komplet bordi, udhëheqësit e bordit, të gjithë janë militantë. Fatkeqësisht, sot nëse ju ka ra me fol me gazetarë brenda [në RTK], redaktor, kryeredaktor, e dini çfarë presioni kanë? Asnjë kronikë nuk guxon me dalë për një projekt të një qyteti që nuk e udhëheq VV-ja”- ka thënë Gashi.
Ndër detyrat e para të “qeverisjes së PDK-së” pasi të formohet legjislatura e re, sipas tij, do të jetë shkarkimi i bordit aktual të RTK-së dhe emërimi i një bordi të ri profesional.
Gashi tha se garanton që me ardhjen e PDK-së në pushtet, RTK-ja do t’i kthehet publikut dhe njerëzit që do të udhëheqin me këtë medium do jenë profesionistë dhe të dëshmuar.
“Ju garantoj këtu juve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që RTK-ja edhe të gjitha mediumet do jenë të qytetarëve të Kosovës dhe njerëzit që do të udhëheqin këtë medium do të jenë njerëz të dëshmuar dhe do të vijnë si rezultat i një procesi të hapur demokratik me kritere dhe me parime”-tha Gashi.
Ndërsa kandidatja Valdete Idrizi, tha se “aty ku gjejmë shkelje në raport me këtë institucion do të ndërmerren masa” dhe si rezultat mund të ketë edhe shkarkime.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit ku u diskutua për meritokracin në institucionet publike tha se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetrën e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë, dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”./kallxo.com/