Kryetarja Haxhiu në 18-vjetorin e pavarësisë: Liria kërkon angazhim të përditshëm

LAJMEMë pak se 2 min. për lexim
TV Prizreni
Botuar nga: TV Prizreni|1 orë
Kryetarja Haxhiu në 18-vjetorin e pavarësisë: Liria kërkon angazhim të përditshëm

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Republikës së Kosovës, në oborrin e Kryeministrisë, duke shënuar kështu fillimin e aktiviteteve për nder të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
 
Pas ngritjes së flamurit dhe intonimit të himnit të Kosovës, në adresimin e saj para mediave kryetarja Haxhiu tha se Kosova sot shënon 18-vjetorin e pavarësisë së saj, si një republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar se liria kërkon angazhim të përditshëm.
 
Kryetarja e Kuvendit tha se sot dhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë, pra dëshmorët e kombit dhe martirët, por po ashtu edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme, për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
“Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale, që funksionojnë me integritet dhe profesionalizëm. Gëzuar të gjithëve pavarësia e Republikës së Kosovës”, theksoi kryetarja Haxhiu.
 
Më pas, krerët shtetërorë bënë nderime dhe vendosën lule te Monumenti i Personave të Zhdukur me Dhunë dhe te Pllaka Përkujtimore në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika