Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se 3 prilli, dita kur po mbahen zgjedhjet në Serbi, është dita për aktivizim kundër pasivizimit në Luginën e Preshevës.
Derisa publikoi një fotografi pranë kutisë së votimit, Sinani ka bërë thirrje për votim duke thënë se “në vazhdën e diskriminimit shtypjes shtetërore, të shoqëruar tashmë edhe me politikat e pasivizimit, duhet të jemi çdo herë e më shumë aktiv”.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sinani ka thënë se të dielën duhet të votohet për deputetë cilësorë dhe të rreshtuar drejt, të cilët janë përherë në koalicion me shqiptarët.
Serbia është duke mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës po garojnë me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë, koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar me bartës liste Shaip Kamberin dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifin.