Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka reaguar pas rastit të ngjyrosjes së përkrenares dhe shpatës së shtatores së Skënderbeut në këtë qytet.
Ai me anë të postimi në llogarinë e tij në Facebook thotë se ky veprim është kryer pa autorizimin e Komunës dhe nuk ka pasur asnjë njoftim apo kërkesë për leje në lidhje me këtë ndërhyrje.
“ Ky veprim nuk është pjesë e asnjë procesi zyrtar restaurimi të miratuar nga Komuna apo ndonjë institucion tjetër kompetent, sipas njohurive që kemi. Nuk ka pasur asnjë vendim institucional për ndryshimin e pamjes së monumentit”.
“ Komuna e konsideron këtë akt si ndërhyrje të paautorizuar dhe është e papranueshme.Gjithashtu, organet kompetente, përkatësisht Policia e Kosovës, është duke zhvilluar hetime për këtë rast”, thotë Totaj.
I pari I Prizrenit më tutje deklaron se çdo ndërhyrje mbi monumentet që mbajnë figurën e Skënderbeut duhet të bëhen vetëm përmes rrugëve institucionale, me transparencë dhe respekt maksimal ndaj simbolikës që përfaqëson.
“Komuna e Prizrenit është e përkushtuar në ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore të qytetit dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për ta garantuar mbrojtjen e tyre”.