Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot në një takim ndërmarrësin e njohur shqiptar me bazë në Gjermani, Isak Neziri. Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare në qytetin historik të Prizrenit dhe më gjerë në rajon.
Gjatë takimit, Kryetari Totaj vlerësoi përkushtimin e Nezirit për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendlindjes, duke theksuar rëndësinë që kanë investimet e huaja për krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës.
“Angazhimi i ndërmarrësve të suksesshëm nga mërgata shqiptare, por edhe partnerëve ndërkombëtarë, mund të sjellë një model të ri të zhvillimit ekonomik për komunën tonë. Kjo nismë do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e standardit të jetesës dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët tanë”, deklaroi Totaj.







