Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka ngushëlluar dhe ka shprehur keqardhjen për humbjen e një prej profesionistëve të shquar të Kujdesit Parësor Shëndetësor në qytet.
“Me keqardhje të thellë pranova lajmin se Dr. Kujtim Bakiqi ndërroi jetë sot në mëngjes. I madh ishte kontributi i tij për shëndetësinë. Do t’i mungojë stafit të QKMF-së në Prizren. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij”, ka shkruar kryetari Totaj.
Dr. Kujtim Bakiqi ka qenë punëtor shumëvjeçar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren dhe për disa vite ka ushtruar edhe funksionin e shefit të Shërbimit të Urgjencës. Ai njihej si një mjek i përkushtuar dhe i respektuar nga pacientët dhe kolegët e tij.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në varrezat e qytetit të Prizrenit, në kohën e namazit të ikindisë.