Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj dhe njëherësh lider i Degës së PDK-së në këtë komunë, ka deklaruar një pasuri të konsiderueshme në formularin e pasurisë për vitin 2025. Ai ka paraqitur në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit pasuri të paluajtshme në vlerë totale prej 500 mijë euro.
Totaj ka theksuar se është pronar i një trualli me sipërfaqe prej 221 metrash katrorë të vlerësuar në 300 mijë euro, si dhe i një objekti afarist me sipërfaqe prej 680.06 metrash katrorë, të vlerësuar në 200 mijë euro. Ky objekt, sipas tij, i sjell edhe të hyra nga qiraja – konkretisht 28 mijë e 447 euro e 44 centë.
Përveç pronave të paluajtshme, kryetari ka deklaruar edhe tri vetura që janë në shfrytëzim nga familja e tij. Vetë ai është pronar i një veture të markës Audi me vlerë prej 25 mijë euro, ndërsa dy veturat tjera janë të fëmijëve të tij – njëra e vlerësuar në 10 mijë euro dhe tjetra në 19 mijë euro.





