Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Këshillit Ndërkombëtar për Bashkëpunim Ekonomik dhe Social (C.I.C.E.S.), z. Michael Deboudt, z. Jean Réveillon dhe z. Thomas Culnart, në shoqërim nga ambasadori i Kosovës në Francë, z. Mehdi Halimi.
Duke i falënderuar mysafirët për vizitën, kryekuvendari Konjufca shprehu mirënjohjen e tij për sinqeritetin e angazhimit dhe rolit të tyre në drejtim të promovimit të imazhit të Kosovës në Francë dhe përtej, për punën në lidhje me mundësitë për investime në Kosovë nga kompanitë franceze, njëherazi edhe për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve ekonomike e kulturore midis Republikës së Kosovës dhe Francës.







