Zjarrfikësit në Kosovë përballen me mungesë statusi të definuar, staf të pamjaftueshëm, pajisje të mangëta dhe kushte të vështira pune, tha kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, raporton Ekonomia Online.
Beka theksoi se gjendja në këtë shërbim mbetet e paorganizuar dhe me kërkesa të kahershme të paplotësuara, duke nënvizuar problemet strukturore dhe institucionale që e përcjellin sektorin.
“4 maji, zjarrfikësit e Kosovës i gjen në një formë kështu në një mënyrë të paorganizuar mirë, të padefinuar, me një mori problemesh ose në një situatë kështu me kërkesat e paplotësuara ose pa kushte për punë dhe me pajisje të mangëta, me staf të mangët dhe shumë, shumë probleme të tjera. Kërkesat janë të kahershme. Jemi pa status të definuar. Edhe pse ligji ka kaluar për zjarrfikës-shpëtim është në Kuvend, nuk është në fuqi. Nuk jemi as shërbyes civil, as punonjës publik. Aktet themeluese i kemi me shërbimin civil, ashtu trajtohemi, me kondita të shërbimit civil. Edhe këtu i kemi, është ai problemi i cili është krijuar një dualizëm i pushtetit lokal dhe nivelit qendror. Pagat i marrim në komunë, jemi staf i Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave”, tha ai.
Ai shtoi se numri i zjarrfikësve është i pamjaftueshëm dhe nuk i përmbush kriteret ligjore, ndërsa kushtet e punës janë të pafavorshme.
“Zjarrfikësit janë të paktë në numër, nuk i plotësojnë kriteret sipas ligjit të zjarrfikës-shpëtimit që është një 1500 banorë një zjarrfikës. Mosha mesatare është e shtyrë, prag viteve të 50-ta. Pa sigurime shëndetësore, pa sigurime invalidore, me një koeficient më të ultin në raport me shërbimet tjera emergjente ose, them kështu, të uniformuara. Pa rrezikshmëri në punë, edhe pse shërbimi i zjarrfikësve është ndër specifikat e veçanta nga të gjitha kategoritë e tjera. Mirëpo, me ligjin e ri të pagave është eliminuar edhe kjo çështje, edhe rrezikshmëria në punë. Kështu që problemet janë grumbulluar, gjendja është e njëjtë dhe me të drejtë ne e shtrojmë pyetjen deri kur kjo gjendje do të vazhdojë kështu. Nuk është që nuk e njohim problematikën e zjarrfikës-shpëtimit”, tha ai.
Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për të bindur institucionet, situata mbetet e pandryshuar dhe pengon përmbushjen e misionit të zjarrfikësve.
“Ne jemi munduar t’i bindim institucionet se kjo gjendje duhet gjithsesi të ndryshojë. Misioni i zjarrfikësve ishte shpëtimi i jetës së njeriut dhe të mirave materiale të këtij vendi, kësaj shoqërie, e ndaj kështu në këtë formë siç jemi të organizuar, nuk i shërbejmë as themelimit për të cilin jemi themeluar”, tha ai.
Beka kërkoi harmonizim të përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, duke theksuar se mungesa e koordinimit po krijon pengesa edhe në aspektin buxhetor.
“Kemi kërkuar në vazhdimësi që të harmonizohen qëndrimet mes pushtetit lokal dhe nivelit qendror, që të bëjnë marrëveshje që derisa të rregullohet çështja të bëhet zgjidhje. Është problematike mjaft edhe çështja e buxhetit të zjarrfikësve, sepse, thashë edhe më herët, tash edhe për rekrutimin edhe për të gjitha të drejtat që i kemi të artikuluara si niveli qendror ashtu edhe niveli lokal, secila ia hedh fajin njëra-tjetrës; është përgjegjëse komuna ose anasjelltas është përgjegjëse ministria”, tha ai.
Ai kritikoi institucionet edhe për mungesë të organizimit të aktiviteteve për shënimin e kësaj dite, ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e buxhetit në disa komuna për rekrutimin e zjarrfikësve të rinj.
“Çështja e fundit që kemi pasur është se janë pranuar 50 punëtorë të rinj. Ato komuna të cilat kanë pasur buxhet i kanë rekrutuar zjarrfikësit e rinj, ato komuna të cilat nuk kanë buxhet dhe të cilat me çdo domosdoshmëri e kanë që duhet të rritet numri, sepse kemi komuna me nga tre zjarrfikës edhe më pak, për shembull në një ndërrim, që është një forcë shumë e dobët për shpëtim, ato nuk mund të rekrutojnë punëtorë të rinj sepse nuk kanë buxhet. Atëherë shtrohet pyetja: a jemi punëtorë të komunës, a jemi punëtorë të ministrisë?”, tha ai./EO