Kryetari i sapozgjedhur i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se nuk i frikësohet kërcënimeve nga bandat dhe individë të ndryshëm.
Në një lidhje direkte për emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Zeqiri ka thënë se është i hapur për të punuar për respektimin e ligjit.
“Nuk jam ndonjë akter që i frikësohem apo i jam frikësuar këtyre kërcënimeve të bandave apo banditëve të ndryshëm. Jam i hapur, për mua nuk është problem, është me rëndësi respektimi i ligjit. Nuk jam faktori që do të bie pre e kërcënimeve e shantazheve, që do të mund të na drejtojë dikush prej kafeneve apo rrugës, ne do të veprojmë institucionalisht. Besoj se siguria do të jetë në nivel për gjithçka. Jam shumë i bindur se sa i përket punës tonë nuk do të ndihet asnjë mungesë”, ka thënë ai.
Si problem kryesor aktual në këtë komunë, Zeqiri e ka parë ligjshmërinë dhe themelimin e institucioneve komunale.
“Mendoj se nuk do të kemi probleme sepse nuk kemi pasur kurrë qëllim që të shfaqim probleme, vetëm se t’u shërbejmë qytetarëve pa dallime. Përderisa do t’i pres afatet e certifikimit të zgjedhjeve, prej këtij momenti jam i hapur, kënaqësia ime është që të vëmë komunikimin mes nacionaliteteve. Do të provojmë të vëmë dialogun mes faktorëve pa dallim të grupacioneve. Pas marrjes së mandatit, do t’i identifikojmë edhe një herë të gjitha problemet. Problemin kryesor e shoh ligjshmërinë dhe themelimin e institucioneve komunale që do t’i shërbejnë secilit qytetar, ky është prioriteti i parë”, është shprehur ai.
Zeqiri nuk beson se do të ketë ndonjë ndryshim të rezultatit të së dielës sa i përket zgjedhjeve në këtë komunë.
“Nuk besoj se do të ketë vota me kusht. Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim, tani e tutje konsideroj se jam i zgjedhuri në këto votime. Banorët rezidentë që kanë pasur të drejtë vote në trevën e Çabrit dhe në vendvotimin ku kam garuar, 95 për qind e qytetarëve kanë dalë në zgjedhje, kurse në lista zgjedhore mund t’i kemi edhe 1000, por fakti është që të tjerët jetojnë në shtetet perëndimore. Kjo shifër mund të ndryshojë varësisht se kur mund të mbahen zgjedhjet. Po të kishte qenë korrik, ndoshta do të mund të kishte më shumë”, ka theksuar ai.