Në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u rizgjodh në krye të partisë me 98.60% të votave të anëtarëve të Vetëvendosjes.
Lëvizja Vetëvendosja të dielën ka mbajtur zgjedhjet e brendshme edhe në Prizren. Anëtarët e Qendrës së Lëvizjes në Prizren, sërish ia kanë dhënë besimin deputetit, Artan Abrashi, për të drejtuar Qendrën e saj në këtë komunë.
Në këto zgjedhje kryetare e grave u zgjodh, Nora Fetoshi ndërsa kryetar i rinisë, Ardit Xhaferi.
Kryetari i rizgjedhur, Artan Abrashi, përmes një postimi në facebook ka falënderuar të gjithë aktivistët për kontributin e dhënë dhe angazhimin e vazhdueshëm në Vetëvendosje.
Shkrimi i plotë:
Të dashur aktivistë dhe anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren
Në fund të këtij procesi zgjedhor dua t’ju faleminderoj të gjithëve për kontributin e dhënë dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm në Lëvizjen VETËVENDOSJE. Falë jush organizata jonë ka identitet të fortë politik. Ka një angazhim të pandalshëm për të ndërtuar një realitet më të mirë për vendin. Sfidat e shumta që i patëm, arritjet dhe ngecjet, të mirat dhe të metat tona do të na shërbejnë për t’i nxjerr mësimet e nevojshme që do të jenë udhërrëfyes për sukseset që do t’i korrim së bashku në të ardhmen.
Për një Lëvizje të gjerë, me struktura të reja dhe drejtim progresiv, ju faleminderoj përzemërsisht për besimin e dhënë për mandatin e ri në drejtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren.
Me respekt, Artani