Kosova ka arritur fitore të rëndësishme në Bratisllavë, duke e mposhtur Sllovakinë me rezultat 3-4.
Me këtë rast, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar organizimin, mikpritjen dhe atmosferën gjatë qëndrimit të ekipit në Bratisllavë.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi ka falënderuar Federatën e Futbollit të Sllovakisë për korrektësinë dhe fair-play-in e treguar gjatë ndeshjes. Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për organet e rendit në Sllovaki, për të cilat tha se kanë treguar profesionalizëm të lartë gjatë gjithë vizitës së delegacionit kosovar.
“Dua të ndaj publikisht falënderimin për Federatën e Sllovakisë për mikpritjen dhe për fair-play-in gjatë ndeshjes. Po ashtu, një falënderim i veçantë shkon për organet e rendit, të cilat na kanë përcjellë me korrektësi dhe profesionalizëm të lartë, që nga aeroporti e deri në përfundim të vizitës sonë” – shkroi Ademi, duke falenderuar edhe publikun vendas për respektimin e simboleve shtetërore dhe himnin e Kosovës.
Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për qytetarët e Bratisllavës dhe bizneset lokale që, sipas tij, kontribuuan në krijimin e një atmosfere të veçantë për tifozët kosovarë.
“Një mirënjohje e sinqertë edhe për qytetarët e Bratisllavës, të cilët mikpritën bashkatdhetarët tanë që këndonin dhe brohorisnin nëpër kafiteri. Falënderim për të gjithë pronarët e kafiterive, të cilët gjatë këtyre dy ditëve krijuan një atmosferë ku frymonte shqip, me këngë dhe emocione të paharrueshme” – tha mes tjerash kreu i FFK-së.
Në rast të një tjetër fitoreje në Prishtinë kundër Turqisë, Kosova do të siguronte për herë të parë në histori kualifikimin në Kupën e Botës 2026, duke shënuar një moment historik për futbollin kosovar.