Kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor në secilën shkollë të kësaj komune.
“Të dashur nxënës, prindër dhe mësimdhënës të Komunës së Dragashit, nesër fillon Viti i Ri Shkollor 2024/25 në Republikën e Kosovës. Si kryetar i Komunës së Dragashit, në takimin që ka organizuar Drejtoria e Arsimit me drejtorët e shkollave tona, ku kam prezantuar dhe unë, jam siguruar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë nëpër të gjitha shkollat e Komunës sonë.”, shkruan Xheladini.
Ai ka bërë të ditur se edhe këtë vit është siguruar transporti pa pagesë për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të shkollës së mesme, e cila sipas tij përveç tjerash, do jetë një mundësi e mirë për nxënësit që ta vazhdojnë shkollimin në Dragash, pa pasur nevojë që të udhëtojnë nëpër qytetet tjera. Gjithashtu, njofton se është siguruar edhe transporti për kryerjen e praktikës profesionale në Prizren për nxënësit e drejtimit të mjekësisë në ShML “Ruzhdi Berisha”.
“Edhe këtë vit është siguruar transporti pa pagesë për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të shkollës së mesme. Kjo masë, përveç që do të jetë një lehtësim i barrës financiare për prindërit, do të ndikojë në prevenimin e deformimeve të boshtit kurrizor nga pesha e çantës, do të eliminojë rrezikun e lëndimeve në komunikacion, si dhe do të jetë një mundësi e mirë për nxënësit që ta vazhdojnë shkollimin në Dragash, pa pasur nevojë që të udhëtojnë nëpër qytetet tjera. Gjithashtu, kemi siguruar edhe transportin për kryerjen e praktikës profesionale në Prizren për nxënësit e drejtimit të mjekësisë në ShML “Ruzhdi Berisha”.”, njofton tutje kryetari i Dragashit.
Kryetari Xheladini në fund është shprehur se si komunë do të vazhdojnë përkushtimin në krijimin e kushteve sa më të favorshme në fushën e arsimit, duke iu uruar suksese nxënësve që do të fillojnë rrugëtimin e ri drejt nxënies së dijes.
“Çdo ditë jemi të përkushtuar që të krijojmë kushte sa më të favorshme infrastrukturore për arsimin në Komunën tonë. Me rastin e fillimit të këtij viti shkollor, uroj të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, e në veçanti ata nxënës që nesër fillojnë rrugëtimin e ri drejt nxënies së dijes, duke u dëshiruar suksese dhe çdo të mirë në jetë! Si kryetar i Komunës, do të jem çdo herë përkrah nxënësve tanë.”, shkruan në fund kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini./TVPrizreni/