Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një shkrimi në facebook ka ngushëlluar në emër të tij dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Prizrenit, familjen Hoxha.
Postimi i plotë:
Telegram ngushëllimi
Sot të gjithë u tronditëm me lajmin për ndarjen nga jeta të Ridvan Hoxhës (1954-2021), mësimdhënës, aktivist politik e shoqëror, sportist dhe një qytetar shembullor.
Kontributi i tij si qytetar filloi me punën si mësimdhënës në shkollën fillore “Dëshmorët e Zhurit”, pastaj si mësimdhënës dhe drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, e që u pasua me aktivitetin politik dhe sportiv.
Ridvan Hoxha në vitet e nëntëdhjeta (1990-1999), në kohën e okupimit serb ishte Kryetar i Aktivit të Drejtorëve të shkollave Fillore dhe të Mesme të Komunës së Prizrenit, ku kontribuoi në ruajtjen e shkollës shqipe. Ishte organizator i formave të ndryshme të rezistencës, duke përfshirë edhe protestat në mbrojtje të shkollës shqipe dhe në organizimin e sistemit arsimor në gjuhën shqipe.





