Sot, në shënim të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, vizitoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku u prezantua armatimi dhe pajisjet ushtarake të ekspozuara në Kazermën “Adem Jashari”.
Në një shënim të tij kryetari Basha e ka cilësuar Forcën e Sigurisë simbol të profesionalizmit, përkushtimit dhe vlerave demokratike që përfaqëson Republika e Kosovës.
“FSK-ja është vazhdimësi e historisë sonë të ndritur dhe trashëgimtare e drejtpërdrejtë e ushtrisë sonë të lavdishme, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo mbart në vetvete sakrificën, idealin dhe përkushtimin e brezave që luftuan për liri, duke e lidhur me dinjitet të kaluarën tonë heroike me të ardhmen e sigurt që po ndërtojmë. Ata nuk mbrojnë vetëm territorin, por edhe vlerat, historinë dhe të ardhmen e kombit tonë”, ka thënë kryetari Basha.





