Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë u takuan të premten në Prishtinë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, por thanë se “nuk është diskutuar për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës”.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, tha se ata nuk janë kompetentë për çështjen e integrimit dhe se ajo duhet të negociohet brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne, si kryetarë komunash, besojmë se kjo nuk është diçka me të cilën duhet të merremi; është ekskluzivisht një temë për negociata dhe negociatorët kryesorë”, tha ai.
Takimi i kryetarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe dhe ministrit Krasniqi u paralajmërua më herët nga ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se pesë-gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit dhe se të gjithë duhet të jenë konstruktivë për këtë çështje.
“Do të ishte mirë që kryetarët e komunave të tregonin sa më shumë përgjegjësi që të jetë e mundur në këtë fazë, sepse mirëqenia e qytetarëve të tyre varet kryesisht nga qasja që do të ndjekin në javët e ardhshme”, tha Bislimi.
Megjithatë, Radojeviq tha se ky takim kishte të bënte me problemet komunale, administrative ose teknike, me të cilat po përballen komunat.
“Kemi edhe probleme me personelin dhe institucionale, ndryshimin e kufijve të komunave…”, tha ai.
Radojeviq shtoi se nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ministri Krasniqi për problemet e ngritura, por se e pret në të ardhmen.
Një ditë më herët, kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë miratuan një deklaratë, me të cilën hodhën poshtë dhe dënuan çdo veprim ose aktivitet që mund të rrezikojë punën dhe shërbimet e institucioneve shëndetësore dhe arsimore, që veprojnë në mjediset me shumicë serbe, brenda sistemit të Serbisë.
Deklarata, e cila u miratua në mënyrë unanime në Mitrovicë të Veriut, thotë se “lëvizjet e njëanshme kundër institucioneve arsimore dhe shëndetësore, përtej negociatave në Bruksel dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe” dhe zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, “do të përbënin spastrim etnik administrativ të popullit serb”.
Subjektet e tjera politike serbe e kanë akuzuar Listën Serbe – partitë më të madhe të serbëve në Kosovë – se tashmë ka rënë dakord për integrimin dhe se thjesht “po simulon rezistencën”.
Sipas tyre, kjo është një përpjekje për të mbuluar “vitet e heshtjes dhe përgjegjësisë politike”.
Paralajmërimi për fillimin e integrimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore përkon me fillimin e fazës së parë të zbatimit të plotë të Ligjit për të Huajt, që zgjat deri më 15 mars dhe përfshin periudhën e informimit.
Ky ligj mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, sepse ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, duhet të marrin leje pune ose licencë nga Agjencia Kosovare e Punësimit.
Në praktikë, marrja e lejes për punë ose shkollim mund të jetë problematike, pasi Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato paralele dhe ilegale./REL
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.