Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, priti në takim drejtorin e Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, fillimisht, drejtori Hoxha e uroi kryeprokurorin Gashi për detyrën e re.
Gjatë takimit thuhet se u diskutua për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
“Kryeprokurori i Shtetit dhe drejtori i Policisë së Kosovës u pajtuan për intensifikimin e komunikimit dhe bashkërendimit të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve, duke e vlerësuar këtë si element thelbësor për shkëmbimin efikas të informacioneve, koordinimin e veprimeve hetimore dhe trajtimin sa më profesional të rasteve penale, në përputhje me kompetencat ligjore të secilit institucion.” – thuhet në njoftim.