LAJME

Banorët e lagjes “Arbana” diskutojnë çështjet e sigurisë dhe infrastrukturës me përfaqësuesit institucionalë

Banorët e lagjes “Arbana” diskutojnë çështjet e sigurisë dhe infrastrukturës me përfaqësuesit institucionalë
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Gusht 2026, 09:47

Në lagjen “Arbana” të Prizrenit, OJQ “EC Ma Ndryshe” ka organizuar takimin me banorët, ku u diskutuan çështjet që lidhen me sigurinë publike, infrastrukturën dhe nevojat prioritare të komunitetit, me fokus në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve.

Në takim morën pjesë banorët e lagjes, përfaqësuesi i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri (DES) dhe koordinatori i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), Idaim Kryeziu, dy zyrtarë nga Policia e Komunitetit dhe drejtori i Shkollës “Ibrahim Fehmiu”, Shqiptar Thaçi.

Siç bën të ditur kjo organizatë, gjatë diskutimit, banorët vlerësuan se dukuritë devijante në lagje janë zvogëluar krahasuar me vitet e mëparshme, por theksuan se prania dhe mbikëqyrja e vazhdueshme nga institucionet e sigurisë mbetet e rëndësishme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në komunitet.

Sipas njoftimit, banorët paraqitën një sërë kërkesash që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë në lagje. Ndër to u veçua nevoja për vendosjen e sinjalizimit rrugor pranë shkollës, si dhe ulja e kufizimit të shpejtësisë së automjeteve në rrugicat e lagjes nga 50 km/h në 30 km/h, me qëllim rritjen e sigurisë së këmbësorëve dhe nxënësve.

Po ashtu, thuhet se u ngritën shqetësime lidhur me gjendjen e kabllove dhe shtyllave të rrjetit elektrik, për të cilat u kërkua ndërhyrje nga KEDS. Banorët kërkuan gjithashtu krijimin e hapësirave publike për rekreacion dhe aktivitete komunitare, duke theksuar se lagjja aktualisht nuk disponon një hapësirë të tillë, përveç zonës së lapidarit.

Gjatë takimit bëhet e ditur se u diskutuan edhe nevoja për funksionalizimin e hidrantëve dhe hartimin e planeve të evakuimit në raste emergjente, si dhe shqetësimet që lidhen me ndotjen e mjedisit dhe të ujërave.

Përfaqësuesi i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, Idaim Kryeziu, i informoi të pranishmit për rolin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve. Ai theksoi se ky mekanizëm synon të kontribuojë në rritjen e sigurisë në shkolla dhe në hapësirat publike, duke bërë të ditur gjithashtu se Ministria e Punëve të Brendshme është në proces të hartimit të politikave të reja për avancimin e sigurisë në institucionet arsimore dhe në komunitet.

Organizata thekson në fund se ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika