Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka zhvilluar sot një takim pune me Azem Krasniqin, Komandant i Stacionit Policor të Vërmicës në Pikë Kalimin Kufitar Kosovë – Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutua për sfidat aktuale me të cilat përballen autoritetet kufitare dhe institucionet e drejtësisë, si dhe u theksua rëndësia e koordinimit të ngushtë në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që ndodhin në zonat kufitare.
Në veçanti, u trajtua edhe çështja e rritjes së pritshme të fluksit të qytetarëve gjatë sezonit turistik, nga data 01 maj deri në shtator, periudhë gjatë së cilës kalimet kufitare shumëfishohen për shkak të kthimit të mërgatës dhe vizitave të turistëve. Përkundër lehtësirave që ofrohen në pika kufitare për të përshpejtuar procedurat, u theksua nevoja për vigjilencë të shtuar dhe intensifikim të kontrolleve, për të identifikuar dhe parandaluar hyrjen apo daljen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale.





