Me ftesë të prodekanes së Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” prof. Adelina Rakaj, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, mori pjesë në panelin e diskutimit me temën “Roli i institucioneve arsimore në edukimin mbi barazinë gjinore si mekanizëm për parandalimin e dhunës”, organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.
Gjatë këtij paneli u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të parandalimit të pabarazisë dhe dhunës, si dhe roli thelbësor që luajnë institucionet arsimore në edukimin e gjeneratave të reja për barazi, respekt dhe kulturë demokratike.
Në fjalën e tij, kryeprokurori Kryeziu paraqiti pikëpamjet mbi rolin e institucioneve përgjegjëse, me theks të veçantë mbi mandatin dhe obligimet e Prokurorit të Shtetit në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës. Ai rikujtoi se lufta kundër dhunës, e veçanërisht dhunës në baza gjinore, mbetet një ndër prioritetet kryesore të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Kryeprokurori po ashtu potencoi se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, duke vënë në pah rolin e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV), cila ofron përkrahje të drejtpërdrejtë për viktimat, si dhe bashkëpunimin me Koordinatoren Nacionale për Dhunë në Familje.
Po ashtu, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, dhe kryetari i OAK – dega Prizren, Blerim Mazreku, në fjalimet e tyre theksuan rëndësinë e promovimit të barazisë gjinore, fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolit të përbashkët që kanë institucionet arsimore dhe gjyqësore në parandalimin e dhunës dhe promovimin e barazisë gjinore.
Në përmbyllje, kryeprokurori Kryeziu vlerësoi lartë kontributin e Universitetit “Ukshin Hoti”, në veçanti të Fakultetit Juridik, për organizimin e aktiviteteve të tilla që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror, promovimin e barazisë gjinore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër dhunës.
