Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu priti në takim pune Vesa Satamo, monitorues tematik për krimet ndaj mjedisit nga Njësia për Monitorim të rasteve të EULEX-it. Në këtë takim mori pjesë edhe prokurori/koordinator për veprat penale kundër mjedisit, Shpend Binaj, njofton zyra për informim e ZKPSH.
“Takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër degradimit të mjedisit, një ndër sfidat aktuale që ndikon në shëndetin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për aksionin e Prokurorisë së Prizrenit të datës 04.06.2025 kundër degradimit të mjedisit, ku Kryeprokurori z.Kryeziu, shpalosi detaje të rëndësishme mbi këtë operacion dhe rezultatet e tij.
Gjithashtu, u diskutuan strategjitë e koordinuara për përmirësimin e zbatimit të ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimeve mjedisore.
U theksua rëndësia e intensifikimit të hetimeve dhe ndëshkimit të veprave që degradojnë natyrën dhe burimet natyrore, si dhe përmirësimi i kapaciteteve të prokurorisë për trajtimin e këtyre çështjeve.
Në veçanti, u kërkua që tu jepet vëmendje e veçantë dhe përkushtim maksimal arsyetimeve për konfiskimin e mjeteve që shfrytëzohen për kryerjen e këtyre veprave penale, si një masë e domosdoshme për parandalimin dhe ndëshkimin efektiv të degradimit mjedisor.
Në përfundim të takimit, palët theksuan përkushtimin e tyre për të intensifikuar bashkëpunimin dhe për të marrë masa konkrete në luftën kundër degradimit të mjedisit, duke kontribuar kështu në ruajtjen e mjedisit.”, thuhet në fund të këtij njoftimi.