Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për zhvillimet aktuale në Kosovë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Kuvendit, gjatë takimit, kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës veçanërisht në faza të rëndësishme të zhvillimit të saj. Ajo theksoi gjithashtu progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave kyçe.
Në anën tjetër thuhet se ambasadori Hargreaves e përgëzoi Haxhiun për zgjedhjen në detyrë dhe për efikasitetin e treguar në funksionalizimin e Kuvendit, përfshirë procedimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare” – thuhet në njoftim.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.