Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një delegacion nga Zvicra që udhëhiqej nga ish-ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly. Grupi i cili ka udhëtuar drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor në një vizitë studimore, do të qëndrojë në Kosovë, në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Përgjatë takimit bëhet e ditur se u cekën tema të ndryshme, me interes për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Urat e bashkëpunimit mes nesh si shtete por edhe si shoqëri, të cilat kultivohen e thellohen edhe më tej përmes diasporës sonë në Zvicër, u vlerësuan lart nga kryeministri dhe personalitetet e pranishme në takim të cilët mbulojnë fusha të ndryshme, si mjekësia, komunikimi dhe arkitektura. Sipas njoftimit, kryeministri theksoi se diaspora kosovare në Zvicër ka një ndikim të madh, jo vetëm për numrin e saj të madh, por edhe për remitancat, ku mbi 20% e remitancave që vijnë në Kosovë janë nga Zvicra.
“Kryeministri vuri në pah rolin e rëndësishëm të Zvicrës si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe që vazhdon të kontribuojë përmes programeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC). Ai nënvizoi rëndësinë e sistemit të arsimit dual, ku Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e arsimit me tregun e punës, duke ndihmuar në përgatitjen e fuqisë punëtore të re.”, njofton Zyra e Kryeministrit.






