Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim përfaqësuesit e televizioneve lokale/rajonale, në krye me z. Nexhmedin Spahiu.
Në takim u diskutua për rolin dhe rëndësinë e mediave lokale në forcimin e demokracisë, mbikëqyrjen e transparencës e llogaridhënies së qeverive lokale, dhe për pengesat e sfidat me të cilat përballen televizionet lokale e rajonale.
Spahiu e njoftoi kryeministrin Kurti me problemet që i kanë shkaku i moszbatimit të ligjit nga operatorët e shpërndarjes së shërbimeve mediale audiovizuale, në veçanti me renditjen, siç tha ai, të paligjshme të kanaleve televizive nëpër platforma. Z. Spahiu tërhoqi vërejtjen për rrezikun dhe dëmin që sjellë krijimi i monopoleve për transmetuesit televizivë lokalë e rajonalë.






