Kryeministri Albin Kurti ka nderuar me medalje 39 pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët përgjatë dy javëve kanë shërbyer si ekipe të ndara në disa rajone në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit me pasoja tragjike në Turqi.
Pjesëtarët e FSK-së janë rikthyer sot mbrëmje, derisa në aeroportin “Adem Jashari” ata janë pritur nga kryeministri Albin Kurti, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori i Turqisë, Sabri Tunç Angılı.
Kryeministri ka falënderuar pjesëtarët e FSK-së për punën dhe guximin në këtë mision humanitar. “Këto medalje janë dëshmi e vëmendjes dhe mirënjohjes tonë për guximin e treguar në Republikën e Turqisë, pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike, që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës. Është obligimi ynë humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyrë e jona si partnerë, e aleatë, dhe si shtet e popull mik i Republikës së Turqisë që t’iu gjendemi atyre në ndihmë në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht përmes jush, të cilët pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve për në Turqi dhe qëndruar deri tash, duke u përpjekur me krejt çka mundeni dhe dini që të shpëtoni jetë dhe t’i nxirrni njerëzit nga rrënojat”, ka thënë Kurti para pjesëtarëve të FSK-së.
Ai ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e FSK-së që ishin në këtë mision humanitar, teksa ka thënë se ata kanë ndihmuar që vendi ynë t’i forcojë edhe më shumë lidhjet me popullin dhe Republikën e Turqisë.
Gjatë operacioneve të kërkim shpëtimit në Turqi, ekipet e FSK-së kanë arritur të shpëtojnë katër persona, që kishin mbetur nën rrënoja, si dhe kanë nxjerrë rreth 50 persona kufoma./RTK/